Kryeministri Berisha: Qeveria e angazhuar për partneritet të qëndrueshëm me pushtetin vendor
Nga INDIPENDENT
Kryeministri Berisha tha sot gjatë një takimi në Tiranë me drejtues të pushtetit vendor se partneriteti me qeverinë vendore është kusht përcaktues për përmirësimin e qeverisjes dhe zbatimin e suksesshëm të politikave të zhvillimit. “Qeveria, në një partneritet shumë të rëndësishëm me ju, - u shpreh Kryeministri, - mbetet e vendosur të bëjë çdo përpjekje ligjore në mënyrë që ju të mund t’u përgjigjeni plotësisht kërkesave të qytetarëve shqiptarë.”. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm kryetarë të qarqeve, bashkive, komunave dhe prefektë, Kryeministri u ndal në disa nga çështjet kryesore në bashkëpunimin me pushtetin vendor si procesi i decentralizmit, reforma e pronësisë, transferimi i pronave publike në administrim pushtetit vendor dhe reforma në arsim. Kryeministri vlerësoi të një rëndësie parësore procesin e decentralizimit, si një proces që i jep pushtetit vendor autoritetin legjitim mbi ato sektorë ku ai është përgjegjës direkt para qytetarëve. “Ky është procesi i pushtetimit tuaj legjitim në të gjitha fushat dhe sektorët, për të cilat ju jeni përgjegjës direkt para qytetarëve të bashkive, komunave, rretheve dhe qarqeve tuaj,” u shpreh Kryeministri. Procesi i decentralizimit ka njohur dy zhvillime të mëdha: administrimin e taksës së biznesit të vogël nga pushteti vendor dhe vendimi i fundit për decentralizimin e ujësjellësve. Kryeministri u shpreh edhe nevojën e shpejtimit të procesit të transferimit të pronave publike pushtetit vendor, proces që merr rëndësi edhe në kuadër të ligjit të partneritetit publik privat. Ndonëse gjatë këtyre dy viteve, theksoi Kryeministri, pronat e transferuara janë nga 20 në 80 për qind. “Për një vend me buxhet modest si Shqipëria, partneriteti publik privat shndërrohet në një levë të vërtetë arkimedi për mobilizimin e burimeve financiare private, mobilizimin e sektorit privat në shërbime, ndërtim dhe të gjitha fushat. Ndaj kërkoj që t’i përcaktojmë kësaj Agjencie një afat kohor për përfundimin e procesit, jashtë të cilit nuk do të tolerohet më tutje,” u shpreh Kryeministri. Duke vlerësuar përmirësimin e ndjeshëm në vjeljen e taksës së biznesit të vogël nga pushtetit vendor, Kryeministri kërkoi nga drejtuesit vendorë të bëjmë përpjekje të mëdha për vjeljen e taksës së tokës. “Kushti më elementar për zhvillimin e pronës është taksa. Taksa e pronës në Shqipëri është ndër më të ulëtat. Agjencitë publike kanë marrë porosi të prerë t’ju ndihmojnë ju mbi bazën e kontratave në vjeljen e kësaj takse,” tha Kryeministri. Duke nënvizuar se do të rishqyrtohen me shumë seriozitet edhe sanksionet e veçanta për mospërgjigje ndaj këtij detyrimi. Kryeministri u ndal gjerësisht në reformën e pronësisë, duke kërkuar bashkëpunim dhe përkushtim për finalizimin e saj. “Së bashku, - theksoi Kryeministri, ne kemi një sfidë shumë të madhe, që është reforma e pronësisë. Kjo reformë kërkon vullnet të qartë politik dhe përkushtim të madh. Çdo vit i kërkoj ministrit të Drejtësisë dhe Agjencisë përkatëse ta ndjekë me përkushtim të madh, por duhet të jemi të vetëdijshëm se asnjë agjenci, nëse ne nuk bashkojmë vullnetin tonë për ta kompletuar e finalizuar këtë reformë, nuk mund ta lëvizë dot. Reforma e pronësisë nuk mund të jetë veçse reforma e të gjitha qeverive vendore, e qeverisë qendrore, gjykatave dhe të gjitha institucioneve.”Kryeministri tërhoqi gjithashtu vëmendjen për zgjidhjen e problemit serioz të mosfunksionimit të këshillave të administrimit të territorit të bashkive dhe komunave. “Komponent thelbësor i reformës së pronësisë është legalizimi. Janë rreth 100 mijë banesa të gatshme për të ardhur në KRRTRSH, por mbeten probleme shumë të mëdha. Një nga problemet është konstituimi i këshillave të administrimit të territorit të bashkive e komunave. Ju garantoj se qeveria ka interes jetik për ndërtimin sa më shpejt të tyre. Nuk besoj se ka forcë politike të painteresuar për ngritjen e tyre, as në qeveri dhe as në opozitë, sepse do të ishte gjëja më absurde. Nuk mund të bllokojmë reformën e pronësisë dhe ndërtimin që është motori kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit për mosfunksionimin e këtyre këshillave,” tha Kryeministri. Duke u ndalur në reformën në arsim, Kryeministri u shpreh se arsimi duhet të shndërrohet në çështjen e parë në agjendën dhe prioritetet e qeverisë qendrore dhe atë vendore. “Ne kemi përpjekur këto dy vjet të bëjmë hapa shumë të rëndësishëm në drejtim të arsimit, në drejtim të mësuesit, të rritjes së investimeve, por pa angazhimin tuaj të plotë e pa bashkërendimin me ju vështirë se do të ketë sukses,” theksoi Kryeministri. Duke theksuar nevojën e zhvillimit të arsimit profesional, Kryeministri tha se “arsimi profesional është orientimi drejt tregut. Sot tregu shqiptar ka kërkesat e tij, por liberalizimi i lëvizjes së lirë do t’u japë mundësi këtyre të rinjve të punësohen aty ku mendojnë se paguhen më mirë dhe ku mendojnë se vazhdojnë jetën më mirë. Në vendet e BE-së raporti arsim profesional-arsim i përgjithshëm është rreth 50 për qind. Tek ne ishte 17 ka shkuar 20 për qind. Vitin e ardhshëm duhet të bëjmë një hop të madh cilësor në të gjitha aspektet.” Duke folur për rolin e prefektit, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Brendshme hartimin sa më shpejt të ligjit për prefektët, në mënyrë që ky ligj të shprehë frymën e dekoncentrimit. “Dekoncentrimi është i domosdoshëm, sepse prefekti nuk mund të pushtetohet duke i marrë kompetenca kryetarit të bashkisë apo komunës, por duke i marrë kompetenca ministrisë së linjës.”Kryeministri i informoi drejtuesit vendorë edhe me projektin e rrugëve rurale, duke i siguruar se nga ky projekt do të përfitojnë të gjitha qarqet e vendit, por prioritet do të kenë zonat bujqësore në mënyrë që të arrihet lehtësisht tregu. Kryeministri kërkoi prej tyre në hartojnë projektet në kuadër të këtij projekti madhor, për rindërtimin e rrugëve rurale të vendit.