Nga Dria Cokaj
Duke pasur parasysh afatet e parashikuara në ligj, për kryerjen e procedurave të nevojshme, rastet e rishpalljes për mosparaqitje të numrit minimal të ofertave apo ankesat e ndryshme në APP, nga subjektet e interesura, u krijuan vonesa për përfundimin e procesit brenda vitit 2007. Në këto kushte, Ministria e Finanacve për të garantuar përfundimin me sukses të këtij procesi propozoi si afat përfundimtar të këtij procesi datën 31 dhjetor 2008.
Komisioni i Ekonomisë dhe Financës, ka miratuar dje vendimin për shtyrjen e afatit të privatizimit të Kompanisë së Sigurimeve INSIG. Kjo do të thotë se privatizimi i kompanisë shtetërore shtuhet deri më 31 dhejtor të vitit 2008. pikërisht ky ka qenë vendimi i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave për shtyrjen e afatit të privatizimit të kësaj kompanie. Ndërsa qeveria shqiptare shtyn për të dytën herë privatizimin e INSIG-ut, procesi për shitjen e kësaj të fundit ka filluar që në vitin 2003. ndërkohë, vetëm pak javë më parë ka qenë Këshilli i Ministrave, i cili miratoi edhe formulën e privatizimit të INSIG-ut sipas të cilës 61% e aksioneve do t’i kalojnë investitorëve strategjikë, ndërsa pjesa tjetër e tyre mbetën të jenë në pronësi të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare IFC dhe BERZH. Sipas relacionit thuhet se qëllimi kryesor i këtij projektligji për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së mësipërme, është shtyrja e afatit të përfundimit të procedurave për identifikimin e investitorit strategjik, të pranueshëm për BERZH-in dhe IFC-në, deri në dhjetor 2008. Nëpërmjet kësaj shtyrjeje shmanget rishitja /kthim i aksioneve të BERZH-it dhe IFC-së Ministrisë së Financave, kusht i përcaktuar në marrëveshjen e rishitjes së aksioneve. Për shtyrjen e afatit IFC dhe BERZH pranojnë të mos aplikojnë të drejtën e tyre për t’ia rishitur aksionet Ministrisë së Financave, nëse afati i privatizimit shtyhet deri në dhjetor 2008, me kusht që ndryshimet ligjore të ratifikohen në Kuvend, brenda datës 31 mars 2008. Për sa më sipër duke mirëkuptuar dhe vlerësuar kushtet specifike të këtij procesi dhe për një garantim të përfundimit me sukses të tij, Ministria e Financave propozon si afat të përfundimit të këtij procesi datën 31 dhjetor 2008. Miratimi me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji siguron përfundimin me sukses të privatizimit të INSIG sh a, duke realizuar kështu edhe njërin nga objektivat politikë të rëndësishëm të programit të Qeverisë Shqiptare.
Formula per privatizimin e INSIG-ut
Po gjatë ditës së djeshme Komisioni i Ekonomisë ka miratuar ndryshimin në Ligjin nr. 96449, datë 27.11.2006 “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG sh a”. Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, 61 përqind e aksioneve u ofrohen për shitje investitorëve strategjik, të cilët përzgjidhen në bazë të procedurave të përcaktuara nga Ministria e Financave, me tender të hapur ndërkombëtar, brenda datës 31 dhjetor 2008. Në zbatim të marrëveshjes së rishitjes së aksioneve të INSIG- sh a, fillon menjëherë procedura e nevojshme ligjore për përzgjedhjen e këshilltarit ligjor, që do të përgatisë termat e referencës. Në zbatim të ligjit për prokurimin publik, për një proces trasparent u shpall tenderi ndërkombëtar, për përzgjedhjen e këshilltarit ligjor të privatizimit të INSIG sh a. Duke pasur parasysh afatet e parashikuara në ligj, për kryerjen e procedurave të nevojshme, rastet e rishpalljes për mosparaqitje të numrit minimal të ofertave apo ankesat e ndryshme në APP, nga subjektet e interesura, u krijuan vonesa për përfundimin e procesit brenda vitit 2007. Në këto kushte, Ministria e Finanacve për të garantuar përfundimin me sukses të këtij procesi propozoi si afat përfundimtar të këtij procesi datën 31 dhjetor 2008.
Finalizimi i privatizimit të pronave dhe shërbimeve që ofrojnë kompanitë shtetërore përbën një proces tejet të rëndësishëm. Për këtë vetëm pak kohë më parë Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij ka kërkuar që t gjitha ministritë të paraqesin për privatizim pronat dhe shërbimet që këto kompani ende të paprivatizuara ofrojnë, kjo pasi sektori privat mund të ofrojë shërbime të një cilësie më të mirë sesa shteti. “Të gjitha ministritë duhet të ofrojnë me shpejtësi privatizimin e pronave dhe shërbimeve që kanë mbetur”, kështu është theksuar në mbledhjen më të fundit të qeverisë gjatë miratimit të vendimit për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të “INSIG”-ut. I cilësuar ndryshe si viti i privatizimeve, është kërkuar që ky proces të shtrihet e të jetë sa më i gjerë dhe pikërisht për këtë është bërë dhe përcaktimi i formës dhe formulës së privatizimit të “INSIG”-ut.
Projekti për sigurinë e digave, promotori për nxitjen e investimeve private në sektorin e prodhimit të energjisë në Shqipëri
Nënshkruhet marrëveshja e grantit japonez për përgatitjen e projektit të sigurisë së digave
“Ky program i rëndësishëm, nënkupton përgatitjen dhe realizimin e një sërë projekteve në fushën e energjetikës me qëllim sigurimin e digave, përgatitjen e projektit dhe studimin e fizibilitetit dhe gjithë dokumentacionit shoqërues për lidhjen e interkoneksionit me vendet e Evropës Juglindore, si dhe nxitjen e investimeve private në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike”.
Banka Botërore dhe Ministria e Financave firmosën dje marrëveshjen për një Grant prej 950,000 dollarësh, të cilat do të shkojnë për përgatitjen e Programit të Energjisë Komunitare për Evropën Juglindore 5 që në Shqipëri do të mbështesë projektin e Sigurisë së Digave. Granti në fjalë do të financohet nga qeveria Japoneze përmes Fondit të Zhvillimit të Politikave dhe Burimeve Njerëzore. Ky fond është themeluar në 1990 si një partneritet i Qeverisë Japoneze me Bankën Botërore. Në emër të Qeverisë Shqiptare marrëveshja është nënshkruar dje nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Ministri i Bode ka falenderuar Bankën Botërore dhe qeverinë japoneze për arritjen e kësaj marrëveshjeje. “Ky program i rëndësishëm, nënkupton përgatitjen dhe realizimin e një sërë projekteve në fushën e energjetikës me qëllim sigurimin e digave, përgatitjen e projektit dhe studimin e fizibilitetit dhe gjithë dokumentacionit shoqërues për lidhjen e inte-koneksionit me vendet e Evropës Juglindore, si dhe nxitjen e investimeve private në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike”, është shprehur ministri Bode. Ndërkohë, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri znj. Camille Nuamah gjatë këtij takimi u shpreh se “Banka Botërore është mirënjohëse për partneritetin e qëndrueshëm me Qeverinë Japoneze në përgatitjen e projekteve të rëndësishme për Shqipërinë.” Kështu, ky projekt synon: ruajtjen e hidrocentraleve ekzistues të mëdhenj në Shqipëri, si dhe nxitjen e investimeve private në prodhimin e energjisë përmes hidrocentraleve, ndërkohë, mësohet se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) do te jetë agjencia zbatuese e këtij granti. Ndërkaq, konsulli i Përgjithshëm i Nderit i Japonisë në Shqipëri, Bujar Dida lexoi përshëndetjen e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Japonisë në Republikën e Shqipërisë, SH.T.Z. Juxhi Nakamura. “Në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë shqiptare dhe Bankën Botërore, “Qeveria japoneze dëshiron të vazhdojë ndihmesën për popullin shqiptar për t’i siguruar një të ardhme më të mirë dhe më të lumtur”, thuhej në përshendetjen e Ambasadorit japonez. Ky projekt është në serinë e investimeve që kanë si synim zhvillimin e një tregu funksional rajonal të energjisë në Evropën Juglindore përmes kryerjes së investimeve prioritare që mbështesin tregun e energjisë dhe sistemet operacionale të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe asistencës teknike për zhvillimin e sistemeve institucionale, përgatitjes dhe zbatimit të projekteve.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.