LESKAJ:PS e gatshme të mbështesë qeverinë për reformën zgjedhore dhe në drejtësi
Nga Entela Xheraj
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste përshëndet nismat e reja të shpallura dy ditë më parë nga Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Barrot dhe nga Komisioneri për zgjerimin Olli Rehn, për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një deklaratë për shtyp, Kryetarja e Grupit të deputetëve të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, u shpreh se “grupi parlamentarë i PS-së vlerëson se detyrimet që i adresohen në mënyrë specifike Shqipërisë, të transmetuara, nga Ambasadori i BE në Tiranë Lohan, kërkojnë përgjegjshmëri të lartë dhe një angazhim gjithë përfshirës.” u shpreh zonja Leskaj, duke shtuar se “PS dhe grupi i saj parlamentar kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme për integrimin e vendit, në kryerjen e reformave, sidomos atë në drejtësi dhe reformën zgjedhore ndaj dhe ka shprehur, jo vetëm vullnetin, por ka dhënë kontributin e saj konkret në realizimin e këtyre reformave. Duke gjykuar se me miratimin e ligjit për pushtetin gjyqësor procesi i reformave në drejtësi sa ka nisur, por jo përfunduar, ne besojmë se ky proces do të vazhdojë, me të njëjtat ritme dhe frymë si një reformë shumë e rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit dhe për sundimin e ligjit, si kusht i ripërsëritur edhe në deklaratën e fundit të Brukselit.” deklaroi në fjalën e saj deputetja e opozitës Leskaj.
Gjithashtu znj. Leskaj, në emër të opozitës i ka bërë thirrje qeverisë, për të reflektuar ndaj sinjaleve të BE-së, me qëllim integrimin e vendit në BE. “Ne i bëjmë thirrje Qeverisë të reflektojë seriozisht ndaj sinjaleve të përsëritura të BE, për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit, që këto të mos bëhen pengesë për integrimin e vendit.”
“Dua të përsëris se çështjet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe mjedisit të biznesit, që ne kemi kohë që po i vemë në qendër të axhendës tonë opozitare, janë kondicionalitete shumë të rëndësishme për integrimin e vendit gjithashtu, siç u artikulua nga përfaqësuesi i BE.” nënvizoi znj. Leskaj.
Ndërkohë znj. Leskaj I ka bërë apel për përshpejtimin e punës për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, si dhe forcimin dhe modernizimin e rregjimit kufitar duke krijuar kushtet e nevojshme për rregjimin e vizave që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve shqiptarë.
Së fundi, znj. Leskaj ka theksuar se “duke shprehur angazhimin tonë serioz në procesin e reformës zgjedhore ne njëherësh shprehim keqardhjen që disa parti të vogla, nuk konsiderojnë interesin e madh të vendit për t’u ndarë nga një sistem politik i kalbur, duke adoptuar sistem zgjedhor, që i jep fund partitokracisë dhe krijon një sistem me frymmarrje të re e sa më përfqësues.” përfundoi zonja Leskaj.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.